Vula elektronike
Ndryshimet ligjore dhe nënligjore përkatëse të miratuara përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 495, datë 13.09.2017, 'Për miratimin e rregullave të përfitimit të shërbimeve publike elektronike', hapën rrugën e legjitimimit të vulës elektronike, duke i dhënë vlefshmëri ligjore dokumenteve administrative të gjeneruara përmes portalit e-Albania.
Bazuar në ligjin Nr. 107/2015 “Për identifikimin elektronik dhe Shërbimet e Besuara” i ndryshuar, neni 3, pika 6 : “Certifikatë e kualifikuar për vulë elektronike” është një certifikatë për vulë elektronike, që është lëshuar nga një ofrues i kualifikuar i shërbimit të besuar dhe plotëson kriteret e përcaktuara në këtë ligj.
Vula elektronike që gjenerohet për institucionet shtetërore ka dy funksione kryesore:
- Vërtetimi i Origjinës (Autenticiteti): Provon me siguri të plotë identitetin e entitetit publik që e ka lëshuar dokumentin. Kur një dokument mban një vulë elektronike të vlefshme, marrësi ka garanci të plotë mbi identitetin e institucionit lëshues dhe që nuk është lëshuar nga një palë tjetër e paautorizuar.
- Garantimi i Integritetit: Siguron që përmbajtja e dokumentit apo e të dhënave nuk është ndryshuar, dëmtuar apo manipuluar, që nga momenti kur vula elektronike është aplikuar në atë dokument. Çdo ndërhyrje apo modifikim i përmbajtjes së dokumentit pas aplikimit të vulës elektronike, cënon integritetin e tij dhe e bën atë automatikisht të pavlefshëm.
Gjithashtu, bazuar në Ligjin Nr. 43/2023 “Për qeverisjen elektronike” i ndryshuar, neni 25 “Detyrat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë si Informacionit (AKSHI) si ofrues shërbimesh”, AKSHI: c) ofron shërbimet e autentifikimit, nënshkrimit elektronik, vulës elektronike dhe certifikatës elektronike për organet dhe institucionet e administratës publike, dhe subjektet private, shtetasit shqiptarë dhe/ose të huaj, sipas tarifave të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave; ç) mundëson ndërveprimin nëpërmjet portalit “e-Albania” dhe platformave të tjera, në funksion të përdorimit të identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara, të ofruara nga ofrues të kualifikuar të besuar, të legjitimuar në Republikën e Shqipërisë në shërbimet publike elektronike;
Në bazë të legjislacionit të sipërpërmendur, dërgimi dhe pranimi i të dhënave kryhen në përputhje të plotë me legjislacionin që rregullon identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, ndërsa vulosja e dokumenteve administrative elektronike, të gjeneruara nga transmetimi elektronik, garanton autenticitetin e dokumentit në formatin elektronik. Aplikimi dhe përfitimi i dokumenteve që përmbajnë vulën elektronike kryhet përmes identifikimit elektronik në portalin e-Albania.
Dokumenti i gjeneruar është i pajisur me vulë elektronike, e cila i bashkëlidhet dokumentit menjëherë pas gjenerimit të tij, në formatin PDF, përpara se të mundësohet përfitimi i tij nga aplikuesi. Vula elektronike i përket vetëm institucionit lëshues të dokumentit dhe të drejtat mbi përdorimin e vulës i ka vetëm ky institucion.
Dokumenti i gjeneruar me vulë elektronike në formatin PDF ka vlerë ligjore të njëjtë me dokumentin që lëshohej më parë i printuar në letër nga institucioni publik.
Dokumenti administrativ elektronik, i përftuar si më sipër përmban të dhënat e vulës elektronike të konvertuara vizualisht sipas formatit të mëposhtëm:
- Paraqitja grafike e vulës fizike të institucionit
- Emri i institucionit lëshues
- Data dhe ora e vulosjes - sipas vulës kohore - timestamp
- Vlerën në hexadecimal / enkodim në string alfanumerik të hash të dokumentit apo vulës elektronike, të shfaqur në format të lexueshëm text apo në kod 1- apo dydimensional.
Shënim: Vulosur elektronikisht nga (emri i institucionit përkatës)
Për qëllime të vërtetimit të vlefshmërisë së dokumentit me vulë elektronike të printuar në letër, mund të përdoret kodi QR i integruar në to. Skanimi i këtij kodi ridrejton në adresën elektronike unike (URL sipas specifikimeve të RFC 3986), ku dokumenti administrativ mund të aksesohet i plotë përgjatë gjithë ciklit të tij jetësor.
Me implementimin e vulës elektronike si shërbim i kualifikuar i besuar në portalin qeveritar e-Albania, tashmë marrja e dokumenteve për shërbimet publike është më e shpejtë, më e thjeshtë dhe në kohë reale 24/7.