Aplikim për licencë për leje minerare shfrytëzimi

Më shumë
Logo e institucionit
Përdor shërbimin

Ju duhet të identifikoheni në portal për të përdorur këtë shërbim!


Hyr Regjistrohu

Ky shërbim elektronik u vjen në ndihmë bizneseve të aplikojnë për t’u pajisur me licencë për leje minerare shfrytëzimi.

Shërbimi elektronik u vjen në ndihmë subjekteve tregtare të cilat dëshirojnë të pajisen me licencë për leje minerare shfrytëzimi. Aplikanti, para se të përdorë shërbimin, duhet të marrë dokumentet e nevojshme nga institucionet përkatëse që i japin ato.
Shërbimi ofron mundësinë e ngarkimit të dy llojeve të dokumenteve:
- Dokumente origjinale të skanuara nga aplikanti, të cilat nevojiten të dorëzohen origjinale pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) pasi është kryer aplikimi online.
- Dokumente me nënshkrim elektronik, të cilat nuk duhet të dorëzohen pranë QKB-së. Për të marrë dokumente me nënshkrim elektronik, aplikanti duhet t’i kërkojë punonjësit të institucionit që gjeneron dokumentin që ta ngarkojë atë të nënshkruar elektronikisht në sistemin e AMS-së (Application Management System). Pas ngarkimit nga punonjësi i institucionit, aplikanti mund ta shkarkojë dokumentin e nënshkruar elektronikisht te “Hapësira ime”, në seksionin “Dokumentet e mia” tek e-albania.
Pas përfundimit të aplikimit online, aplikanti duhet të dorëzojë në Qendrën Kombëtare të Biznesit (me postë apo në sportel) versionin origjinal të dokumenteve të skanuara. Vetëm pasi të jenë dorëzuar këto dokumente në QKB, do të vijohet me trajtimin e aplikimit nga organet përkatëse brenda dhe jashtë këtij institucioni.
Nëse aplikimi për licencën e kërkuar aprovohet, aplikantit do t’i shfaqet licenca në profilin e tij tek e-Albania, në seksionin “Dokumentet e mia” te “Hapësira ime”. Gjithashtu aplikanti mund të tërheqë dokumentin e licencës në sportel. Në rast mosaprovimi të dokumenteve apo licencës, aplikanti do të njoftohet me anë të e-mail-it edhe mbi arsyen e mosaprovimit.


Dokumentacioni i nevojshëm
- Akti i regjistrimit të subjektit sipas legjislacionit në fuqi.
- Dokument identifikimi të njohur nga ligji i personit që paraqet kërkesën në emer të subjektit.
- Autorizim që verteton se personi që paraqet kërkesën (kur ky nuk është vetë titullari i subjektit) në emër të subjektit është i autorizuar prej tij për të kërkuar licencim / leje.
- Përshtatshmëria e njohurive dhe eksperiencës së personelit:
Një përshkrim të kapaciteteve teknike, profesionale dhe menaxheriale të kërkuesit
Kontrata me drejtuesin teknik të punimeve (e noterizuar)
- Përshtatshmëria e pajisjeve, teknologjisë dhe mjediseve për ushtrimin e veprimtarisë:
Projektin e zhvillimit të aktiviteteve minerare të shfrytëzimit ose kërkim zbulim-shfrytëzimit dhe programin e investimeve për shfrytëzimin
Kërkesën për aktverifikimi
Një plan pune investimi
Projekti i rehabilitimit të zonës minerare
Përcaktimet për vlerat e garancive financiare

- Besueshmëria financiare:
"Burimet financiare të nevojshme dhe një nga vërtetime për ekzistencën e tyre:

I. Një deklaratë nga banka që të konfirmojë se personi juridik ka çelur numrin e llogarisë, ku duhet të ketë të depozituara të paktën 20 % të vlerës së investimit të parashikuar në programin e investimeve që ka paraqitur.
II. Një dokument që vërteton se personi juridik ka siguruar një kredi prej një banke ose subjekti tjetër financiar, me vlerë e cila mbulon investimet e parashikuara për t’u kryer;
III. Një kontrate me një investitor, i cili garanton mbështetje financiare për realizimin e programit të investimit. Në këtë rast personi juridik duhet të paraqesë një dokument noterial, në të cilin shprehet vullneti i investitorit për të mbështetur këtë investim, si dhe dokumentet që provojnë burimet financiare të këtij të fundit.

- Dokumente të tjera
Subjektet, që aplikojnë për leje minerare të kërkim – zbulimit, bashkë me dosjen e dokumentacionit për leje minerare, janë të detyruar të deklarojnë me shkrim burimin ligjor të gjithë informacionit gjeologjik apo gjeologo - minerar, të përdorur në ndërtimin e dokumentacionit aplikues.
Ekstraktin e vendimit të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) për regjistrimin si person juridik, ku në objektin e veprimtarisë të ketë të miratuar edhe zhvillimin e veprimtarisë minerare me punime sipërfaqësore ose nëntokësore, sipas kërkesës.

Dokumentet e kritereve të listuara më sipër mund të ngarkohen në një nga format e mëposhtme:
- Te nënshkruara elektronikisht nga institucioni – Këto dokumente kanë të njëjtën vlerë ligjore me dokumentet origjinale në letër, prandaj nuk është e nevojshme të dërgohen origjinale me postë te QKB.
- Dokumente origjinale të skanuara (të panënshkruara elektronikisht) – Këto dokumente duhet të dërgohen origjinale me postë drejt QKB-së ose të dorëzohen fizikisht te sporteli i QKB-së.


Hapat e procedurës
- Identifikohuni si biznes në portal
- Zgjidhni shërbimin “Aplikim për licencë për leje minerare shfrytëzimi”
- Klikoni butonin" Përdor"
- Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi adresën e biznesit dhe ngarkoni dokumentet e nevojshme të kritereve të licencës.
- Klikoni butonin “Dërgo” në faqen e fundit të formularit.
- Merrni numrin e çështjes në përgjigje të dërgimit të aplikimit, me të cilën mund të gjurmoni më pas çështjen e hapur duke përdorur shërbimin ”Gjurmimi i çështjeve nga Qendra Kombëtare e Biznesit (licenca)”.
- Dërgoni me postë ose dorëzoni në sportelin e QKB-së versionin origjinal vetëm për dokumentet e skanuara gjatë aplikimit online.
- Sportelisti verifikon dokumentet e aplikimit dhe nëse ato janë të gjitha të nënshkruara elektronikisht, e konfirmon çështjen duke e kaluar te regjistruesi. Nëse një pjesë e dokumenteve janë të panënshkruara elektronikisht (pra, të skanuara nga origjinali), atëherë sportelisti e le pezull çështjen deri në mbërritjen e dokumenteve origjinale.
- Pasi dokumentet origjinale mbërrijnë në QKB, sportelisti verifikon që ato janë të njëjta me versionin e skanuar të dërguar gjatë aplikimit online. Më pas konfirmon krijimin e çështjes (sistemi i brendshëm i QKB-së gjeneron LC-në përkatëse dhe lajmëron aplikantin me e-mail).
- Çështja i shfaqet regjistruesit të QKB-së për trajtim të mëtejshëm. Regjistruesi proceson aplikimin dhe pas aprovimit të tij, çështja i kalon ministrisë për shqyrtim. Në rast se regjistruesi nuk e aprovon aplikimin, aplikanti njoftohet me e-mail për arsyen e refuzimit.
- Ministria shqyrton aplikimin dhe merr vendim aprovues ose refuzues për çështjen. Në rast refuzimi, aplikanti njoftohet me e-mail edhe mbi arsyen.
- Në rastin e aprovimit të aplikimit nga ministria, licenca përkatëse ose aktivizohet direkt prej saj kur dhënia e licencës është pa pagesë ose shfaqet në radhën e punës të sportelistit të QKB-së për ngarkimin e mandatit të pagesës.
- Pas kryerjes së pagesës nga aplikanti, licenca aktivizohet nga sportelisti i QKB-së. Sportelisti vijon me gjenerimin e dokumentit të licencës, e nënshkruan atë elektronikisht dhe e dërgon në seksionin “Dokumentet e mia” te “Hapësira ime”. Gjithashtu aplikanti mund të tërheqë dokumentin e licencës në sportel.


Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit
26 ditë pune

Periudha e vlefshmërisë
Pa afat

Kostot
30000

Më shumë
Bulevardi Zhan D’Ark, pranë Ministrisë së Jashtme, Tirane

Kontakti
Tel: + 355 4 22 74 499 Fax: + 355 4 22 39 957 || info@qkl.gov.al

Shkarko skedën ADISA