Sesioni juaj po skadon!


Aplikimi për administrimin e një magazine fiskale (regjistrim për akcizë)

Më shumë
Logo e institucionit
Përdor shërbimin

Ju duhet të identifikoheni në portal për të përdorur këtë shërbim!


Hyr Regjistrohu

Ky shërbim elektronik bën të mundur aplikimin online për administrimin e një magazine fiskale për produktet e akcizës.

“Aplikim për administrimin e një magazine fiskale” është një shërbim elektronik, i cili iu mundëson bizneseve të plotësojnë një formular kërkese online për administrimin e një magazine fiskale për produktet e akcizës. Bazuar tek ligji 61/2012, neni 4 dhe 51 të VKM-së Nr.612, datë 05.09.2012 të ndryshuar së fundmi edhe me VKM 38 datë 21.01.2016, çdo person fizik ose juridik, që kërkon të presë mallra akcize që lëvizin nën një regjim pezullues të detyrimeve brenda territorit të vendit (pritësi i regjistruar), duhet të regjistrohet nga autoritetet doganore. Ky shërbim bën të mundur dërgimin e kërkesës online për regjistrim drejt një zyre doganore mbikëqyrëse duke plotësuar informacionet e kërkuara për këtë lloj kërkese.

Dokumentacioni i nevojshëm
Gjatë aplikimit online, përveç plotësimit të formularit të kërkesës, aplikanti do të bashkëngjisë dokumentet e domosdoshme për regjistrim tek seksioni përkatës në formular: "Lista e dokumenteve shoqëruese bashkangjitur". Në varësi të llojit të regjistrimit për tipin e magazinës për të cilën bëhet kërkesa, variojnë edhe dokumentet që duhen dërguar bashkë me kërkesën.

Për t'u regjistruar si pritësi i regjistruar duhen bashkangjitur në formular këto dokumente:

- Ekstrakt historik nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB);
- Garanci të nevojshme për të mbuluar veprimet e lëvizjes së produkteve të akcizës me pezullim të detyrimeve, vetëm në rast se kërkuesi do të kërkojë të garantojë lëvizjen;
- Dëshmi penaliteti të përfaqësuesit të shoqërisë/administratorit;
- Dëshmi që nuk ka detyrime të pashlyera ndaj administratës doganore;
- Përshkrim të produkteve të akcizës që do të trajtojë;
- Të dhëna për kapacitetin maksimal mbajtës të ambientit/eve të stokimit.

Për t'u regjistruar si depozitues i miratuar prodhues/përpunues dhe stokues duhen bashkangjitur në formular këto dokumente:

- Kopje e titullit të lejes apo licencës së lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit nëse subjekti për ushtrimin e aktivitetit duhet të pajiset me një licencë apo leje të parashikuar nga shtojca e ligjit për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë. Magazinave fiskale, të cilat deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi nuk kanë pasur detyrim depozitimin e dokumentit të QKB-së, u lihet afat gjashtë muaj, duke filluar nga data hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për depozitimin e dokumentit të QKB-së pranë degës doganore mbikëqyrëse;
- Prokura e përfaqësuesit ligjor për marrjen përsipër të përgjegjësive të shoqërisë, për rastet kur nuk përcaktohet në ekstraktin e QKB-së;
- Dëshmi penaliteti e përfaqësuesit të shoqërisë/administratorit dhe aksionarëve të shoqërisë;
- Planimetria e ambienteve të planifikuara për magazinë fiskale, të shoqëruara me foto për çdo plan si brenda ashtu edhe jashtë;
- Plani dhe përshkrimi i instalimeve të ndryshme që do të jenë pjesë e magazinës fiskale (instalime, depo, rezervuarë, tubacione etj.);
- Akti i kalibrimit të kontejnerëve (depozitave, sillosa etj.) nga DPM-ja (Drejtoria e Pergjithshme e Metrologjise), në rastet kur do të depozitohen lëngje apo materiale rifuxho. Për rastet kur marrja e certifikatës së kalibrimit është në proces, të depozitohet kërkesa e aplikimit shoqëruar me certifikatat e kalibrimit të disponueshme në momentin e prodhimit/importit;
- Certifikimet përkatëse për instrumentet dhe pajisjet matëse nga DPM-ja;
- Deklarata për natyrën dhe pozicionin tarifor të produkteve që priten, dërgohen, mbahen dhe në rastin e magazinave të prodhimit edhe të lëndëve të para dhe produkteve të prodhuara;
- Karta teknologjike me parametrat e punës, lëndët e para dhe produktet përfundimtare të përfituara sipas standardeve të përcaktuara më parë;
- Vlerësimi i sasive të produkteve të akcizës të prodhuara, të përpunuara dhe të depozituara/të stokuara për një periudhë të caktuar (vjetore apo që mbulon aktivitetin nëse është sezonale);
- Dokumenti i garancisë;
- Informacioni për sistemin kontabël që përdor shoqëria, si dhe masat e kontrollit të brendshëm e metodat e kontrollit që ajo përdor;
- Konfirmimi se shoqëria nuk ka asnjë detyrim të pashlyer ndaj administratës doganore në momentin e aplikimit.

Hapat e procedurës
- Aplikanti plotëson formularin e kërkesës online duke plotësuar të dhënat e nevojshme për magazinën fiskale;
- Aplikanti zgjedh zyrën doganore tek e cila do të dërgohet kërkesa me e-mail;
- Aplikanti bashkëngjit dokumentacionin e kërkuar në formularin e kërkesës dhe dërgon kërkesën;
- Aplikanti dhe zyra doganore territorialisht kompetente të vendit ku ndodhet magazina e prodhimit, përpunimit apo stokimit/depozitimit të produkteve të akcizës njoftohen me e-mail për kërkesën. Bashkëngjitur e-mailit janë formulari i kërkesës dhe dokumentat e ngarkuara gjatë aplikimit (këtu përfundon procedimi online për aplikimin dhe vazhdon procedura standarte për verifikimin e magazinës fiskale);
- Zyra doganore fillon shqyrtimin e kërkesës së ardhur nga aplikimi online;
- Kryetari i zyrës doganore nxjerr urdhrin për shqyrtimin e dokumentacionit dhe kryerjen e vizitës në ambientet e planifikuara për t’u përdorur si magazinë fiskale. Doganierët e ngarkuar për këtë qëllim kontaktojnë përfaqësuesin e shoqërisë dhe kryejnë vizitën në këto ambiente jo më vonë se 3 (tri) ditë pune nga dalja e urdhrit. Në vizitë mund të marrin pjesë edhe specialistë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Vizita konsiston në verifikimin dhe plotësimin e të gjitha kërkesave që janë paraqitur në urdhër.
- Me mbarimin e vizitës, brenda 7 (shtatë) ditëve, hartohet një raport përmbledhës i cili i përcillet kryetarit të zyrës doganore.
- Nëse nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur nga kërkuesi dhe konkluzionet e raportit përmbledhës rezultojnë mangësi në dokumentacion apo problematika që cënojnë funksionimin korrekt të regjimit të magazinës fiskale dhe mbikëqyrjes së tij, zyra doganore i kthen përgjigje kërkuesit, brenda 14 (katërmbëdhjetë) ditëve nga marrja e kërkesës, për pezullim të procedurave të mëtejshme, duke shpjeguar arsyet përkatëse dhe mangësitë e konstatuara.
- Kërkuesi ka të drejtë të plotësojë dosjen e aplikimit apo kërkesat e tjera të kërkuara nga zyra doganore dhe kjo e fundit rimerr në shqyrtim dokumentacionin dhe praktikën.
- Nëse nga shqyrtimi apo rishqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur nga kërkuesi dhe konkluzionet e raportit përmbledhës rezulton që nuk ka mangësi në dokumentacion apo problematika që cënojnë funksionimin korrekt të regjimit të magazinës fiskale dhe mbikëqyrjes së tij, zyra doganore, brenda 5 (pesë) ditëve, përcjell për procedim të mëtejshëm dosjen e plotë të depozituar nga kërkuesi, duke mbajtur pranë saj një kopje identike, si dhe e shoqëron atë edhe me opinionin e saj zyrtar në lidhje me kërkesën dhe mundësinë e mbikëqyrjes e të kontrollit të magazinës fiskale.
- Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pas marrjes së dosjes së plotë të kërkuesit dhe opinionit zyrtar të zyrës doganore, shqyrton dokumentacionin e paraqitur dhe, në rast se e gjykon të arsyeshme, mund:
a) të kërkojë informacione shtesë brenda apo jashtë institucionit;
b) të kryejë vizitë shtesë në ambientet e planifikuara për magazinën fiskale nëse ka nevojë për saktësime apo riverifikime.

Periudha e vlefshmërisë
Pa afat

Kostot
Pa pagesë

Më shumë
http://www.dogana.gov.al/

Kontakti
Tel: +355 42 264 910; e-mail: akctirane@dogana.gov.al