Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM)

Kontakte

  • E-mail: metrology@dpm.gov.al
  • Adresa: Autostrada Tiranë - Durrës, km 8 Tiranë

Kalibrimi i instrumenteve matës elektrikë

Laboratori i madhësive elektrike në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë (DPM) realizon kalibrimet e kontatorëve të energjisë elektrike, të cilët instalohen në linjat e transmetimit të energjisë elektrike.

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë është person juridik, publik, i specializuar për metrologjinë, me qendër në Tiranë dhe e organizuar në 4 qendra rajonale, DPM është në vartësi të Ministrit për Zhvillimin Ekonomik Turizmit Tregtisë dhe Sipërmarjes dhe kryen aktivitetet e saj bazuar në Ligjin Nr. 9875, datë 14.02.2008 ''Për Metrologjine'' të ndryshuar më vone me ligjin Nr. 100/2015, datë 23.9.2015.

Kalibrimi i kontatorëve elektrikë realizohet me metodën e krahasimit me standard energjie (kontator kampion) të klasës se saktësise 0.02. Procesi i kalibrimit fillon me plotësimin e një formati urdhërporosie, ku klienti së bashku me personin e ngarkuar për kryerjen e kalibrimit hedhin të dhëna mbi identitetin e subjektit, si dhe të dhëna mbi instrumentin që kërkohet të kalibrohet (prodhuesi, nr. serial, kufijtë e matjes, ndarja e shkallës, klasa e saktësisë). Me pas instrumenti dërgohet në ambientet e laboratorit ku qëndron për disa orë për t'u aklimatizuar me kushtet ambientale. Personeli i laboratorit realizon skemën e lidhjes së kontatorit të energjisë elektrike me standardin e energjisë (kontator kampion), sipas skemes së dhënë nga prodhuesi dhe më pas fillon procesin e kalibrimit. Kontatori i energjisë elektrike fillimisht i nënshtrohet disa testeve për të parë përputhshmërinë e tij me kërkesa të standardeve dhe rekomandimeve në fuqi dhe më pas i nënshtrohet matjeve të përsëritura në diapazonë të mirëpërcaktuara. Rezultatet e këtyre matjeve përpunohen për të nxjerrë vlerën mesatare, si dhe shpërndarjen e vlerave rreth mesatares.

Gjithashtu laboratori llogarit pasigurinë e procesit të matjes duke marrë në konsideratë kontributet e pasigurive nga burimet e ndryshme. Vlera mesatare e matjes, si dhe pasiguria e çdo vlere paraqiten në certifikatën e kalibrimit. Në përfundim personeli i laboratorit së bashku me klientin plotësojnë formatin e urdhërdorëzimit për instrumentin e kalibruar.

Dokumentacioni i nevojshëm
-Kërkesë me shkrim nga i interesuari për kryerjen e shërbimit të kalibrimit

Hapat e procedurës
-Dërgimi i instrumentit për t'u kalibruar në laboratorët e DPM-së
-Plotësimi i urdhërporosisë për kalibrim
-Kryerja e kalibrimit
-Lëshimi i certifikatës së kalibrimit

Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit
Brenda 30 ditëve nga data e kërkesës së depozituar në DPM

Periudha e vlefshmërisë
Duke qenë se kalibrimi është vullnetar dhe jo i detyrueshëm, në bazë të standardit të cilësisë, subjektet vendosin se kur duhet të kalibrojnë pajisjet e tyre.

Kostot
Udhëzim i përbashkët Nr. 4456/1, datë 24.8.2015, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave për një ndryshim në udhëzimin Nr. 2 datë 8.2.2013, për ‘’Tarifat dhe pagesat e shërbimevë të DPM-së’’, tabela 4. Për secilin instrument matës ligjërisht të kontrolluar ka tarifa të ndryshme që përcaktohen në këtë udhëzim

Më shumë
Orari: E hënë - e enjte 8:00-16:30; e premte 8:00-14:00

Kontakti
Autostrada Tiranë-Durrës, km.8, Nr. 33, Kashar (e-mail: metrology@dpm.gov.al)

Udhëzim i Përbashkët no. 4456-1, dt 24.08.2015