Komiteti Shqiptar i Birësimeve

Kontakte

  • Tel: +355 42 22 7487; +355 42 226465
  • E-mail: genci.terpo@kshb.gov.al
  • Adresa: Rruga “Mine Peza” , Pallati 87/3 , Shkalla 2 Tiranë

Shërbimi i gjetjes së një familjeje të përshtatshme birësuese për fëmijët e braktisur

Komiteti Shqiptar i Birësimeve (KSHB) është autoriteti qendror i vetëm në Shqipëri, në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve në fushën e birësimit vendas dhe ndërvendas. KSHB-ja në veprimtarinë e vet ka synuar të garantojë interesin më të lartë të fëmijëve të deklaruar të braktisur, për të siguruar familje të përshtatshme dhe të denja, në mënyrë që të krijohen kushte për mirërritjen dhe edukimin e tyre. Ai funksionon si organ kolegjial në varësi të Ministrisë së Drejtësisë dhe në përputhje me dispozitat ligjore që janë përcaktuar saktësisht në një sërë konventash, ligjesh dhe derivatesh të tjera, që rrjedhin në mbështetje të këtyre të fundit.

Komiteti përbëhet nga Këshilli Drejtues, Kryetari dhe Sekretariati Ekzekutiv. Këshilli Drejtues është organi më i lartë vendimmarrës i Komitetit dhe përbëhet nga Kryetari, si dhe nga një përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë, i Ministrisë që mbulon fushën e Shëndetësisë, i Ministrisë që mbulon fushën e Arsimit dhe Shkencës, i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i Ministrisë që mbulon fushën e Rendit Publik, i Ministrisë që mbulon fushën e Financave, i Ministrisë që mbulon fushën e Çështjeve Sociale, një pedagog i të Drejtës Familjare nga universitetet publike dhe një përfaqësues i Shoqatës së Jetimëve. Kryetari i Komitetit drejton Këshillin Drejtues dhe Sekretariatin Ekzekutiv. Sekretariati Ekzekutiv përbëhet nga specialistë të fushave të ndryshme, të cilët ndihmojnë Këshillin Drejtues në funksionet e veta.

Konkretisht, Komiteti Shqiptar i Birësimeve zhvillon veprimtarinë e tij bazuar në legjislacionin e mëposhtëm:

-Ligji nr. 8624 datë 15/06/2000 mbi aderimin e Shqipërisë në Konventën e Hagës, “Për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Bashkëpunimin për Birësimet Jashtë Vendit”;
-Konventa e Kombeve të Bashkuara të 20 Nëntorit 1989 “Për të drejtat e fëmijëve”, e cila ka hyrë në fuqi më 28/03/1992;
-Ligji nr. 9062 datë 08/05/2003, “Kodi i Familjes”;
-Ligji nr. 9695 datë 19/03/2007, “Për Procedurat e Birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimit”, i ndyshuar;
-Ligji nr.10 358, datë 16.12.2010, “Për Disa Shtesa dhe Ndryshime në Ligjin Nr. 9695, datë 19.3.2007, Për Procedurat e Birësimit dhe Komitetin Shqiptar të Birësimeve”;
-Ligji nr. 9443 datë 16.11.2005, “Për Aderimin e RSH-së në Konventën për Juridiksionin, Ligjin e Zbatueshëm, Njohjen Zbatimin dhe Bashkëpunimin, në Lidhje me Përgjegjësinë Prindërore dhe Masat për Mbrojtjen e Fëmijëve”;
-Ligji nr. 9359 datë 24.05.2005, “Për Ratifikimin e Konventës Europiane për Marrëdhëniet me Fëmijët”;
-Ligji nr. 9446 datë 24.11.2005, “Për Aderimin e RSH-së në Konvetën për Aspektet Civile të Rrëmbimit Ndërkombëtar të Fëmijës”;
-Ligji nr. 9544 datë 29.05.2006, "Për Ratifikimin e Marrëveshjes mes Këshillit të Ministrave të RSH-së dhe Qeverisë së Republikës Greke për Mbrojtjen dhe Asistencën e Fëmijëve Viktima të Trafikimit”;
-Ligji nr. 9669 datë 18.12.2006, “Për Masat ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare”;
-VKM nr. 399 datë 01.06.2011, “Për Përbërjen dhe Rregullat e Funksionimit të Komisionit të Miratimit të Agjencive Ndërmjetësuese të Huaja”.

Dokumentacioni i nevojshëm
Dokumentet që duhet të plotësojnë aplikantët për birësimin e një fëmije:
-Kërkesë për motivin e birësimit drejtuar Komitetit;
-Arsyet pse dëshiron të birësojë, fëmija që dëshiron të presë ( seksi, mosha, fëmijë me nevoja të veçanta ).
-Të dhëna mbi gjendjen civile;
-Certifikatë lindjeje, familjare, martese.
-Raport mjekësor dhe historia mjekësore familjare;
-Raport mjeko – ligjor nga komisioni, ku shprehet i aftë për të birësuar një fëmijë.
-Epikrizë – histori mjekësore lëshuar nga mjeku i familjes ose i njësisë ku banon, atje ku ka kartelën mjekësore.
-Analizat e SIDA-s dhe Hepatitit B.
-Vërtetim i Gjendjes Gjyqësore, lëshuar nga Zyra e Gjendjes Gjyqësore e Ministrisë së Drejtësisë;
(Dëshmi Penaliteti).
-Vërtetime të punësimit dhe të të ardhurave;
-Vërtetim i punës dhe të ardhurat nga punësimi lëshohen nga institucioni dhe qendra e punës ku punon. Ky vërtetim duhet të shoqërohet edhe me vërtetim nga Sigurimet Shoqërore.
-Vërtetim i pronësisë së banesës;
-Ky vërtetim pronësie lëshohet nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Hipoteka (certifikata e pronësisë)
-Vërtetim i gjendjes ekonomike dhe sociale;
-Këto vërtetime lëshohen nga institucione të ndryshme, të cilat pasqyrojnë të ardhurat apo depozitat tuaja, si Bankat, Tatim- Taksat, kontrata qiraje ose aktivitete të tjera.
-Vërtetim nga organet e Njësisë së Qeverisjes Vendore të Vendbanimit, për sjelljen dhe figurën morale;
-Këto vërtetime lëshohen nga organet e qeverisjes vendore si bashki, komunë, njësi administrative.
-Deklaratë e gadishmërisë së familjarëve dhe të miqve në mbështetje të aplikantit birësues;
-Këto deklarata lëshohen nga familjarët, miqtë, për gadishmërinë e tyre në mbështetje të familjes dhe integrimin e mirë të fëmijës në këtë familje.
-Deklaratë përpara noterit;
-Deklaratë për gjendjen personale, familjare dhe sociale. (Arsimi, kushtet e banimit, të ardhurat financiare).
-Fotografi të aplikantit birësues në këmbë; Përmasat 10 – 15 cm
*Të gjitha dokumentet e mësipërme duhet të sillen në 2 (dy) kopje, orgjinale ose fotokopje e noterizuar.

Dokumentet që duhet të plotësojnë aplikantët për birësimin me pëlqim.
-Kërkesë për motivin e birësimit drejtuar Komitetit Shqiptar të Birësimeve nga prindërit birësues;
-Certifikatë lindjeje për secilin prind birësues;
-Certifikatë lindjeje për secilin prind biologjik;
-Certifikatë lindjeje për fëmijën;
-Certifikatë familjare e familjes birësuese;
-Certifikatë familjare e familjes biologjike;
-Certifikatë martese e prindërve birësues;
-Certifikatë martese e prindërve biologjikë;
-Vërtetim për të ardhurat financiare të prindërve birësues;
-Vërtetim i pronësisë së banesës për familjen birësuese;
-Deklaratë noteriale për gjendjen personale, familjare dhe sociale të familjes birësuese (arsim, punësim, kushte banimi, të ardhurat financiare)
-Vendim i Gjykatës për dhënien e pëlqimit për birësim nga prindërit biologjikë;
-Epikrizë mbi historinë mjekësore të prindërve birësues, biologjikë dhe të të miturit;
-Analizat e SIDA-s, Hepatit për prindërit birësues, prindërit biologjikë dhe të të miturit;
-Raport mjeko-ligjor nga komisioni, ku tregohet se prindërit birësues janë të aftë të birësojnë një fëmijë;
-Vërtetim nga njësia administrative ose komuna për sjelljen dhe figurën morale të prindërve birësues;
-Dëshmi penaliteti për prindërit birësues dhe prindërit biologjikë;
-Deklaratë e gadishmërisë së familjarëve dhe të miqve, në mbështetje të aplikantit birësues;
-Fotografi të aplikantit birësues në këmbë.Përmasat 10 - 15 cm
-Fotografi të fëmijës;
*Të gjitha dokumentet e mësipërme duhet të sillen në 2 (dy) kopje, orgjinale ose fotokopje e noterizuar.

Hapat e procedurës
Pas dorëzimit të dosjes me dokumentacionin e nevojshëm kërkuar nga KSHB-ja dhe shqyrtimin e kësaj të fundit, ajo regjistrohet dhe çifti ose aplikanti birësues menjëherë pas krijimit të një grupi me të paktën 3 çifte. Brenda 60 ditësh ndjek seancat këshillimore me psikologët dhe punonjësit socialë të institucionit. Gjithashtu, KSHB-ja në këtë periudhë kohore, bazuar edhe në dispozicionin e çiftit, verifikon kushtet e banimit dhe ato social-ekonomike të aplikantëve. Këshilli Drejtues, në mbledhjen e radhës së tij pasi verifikon dosjen dhe raportet përkatëse të KSHB-së për aplikantin, vendos për dhënien e përshtatshmërisë së tyre. Më pas, aplikantët vendosen në listën e pritjes së KSHB-së derisa t’u propozohet fëmija i braktisur, që i është nënshtruar procedurës së birësimit.

Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit
Procedura e aplikimit deri në marrjen e përshtatshmërisë zgjat përafërsisht 60 ditë, por varet nga dispozicioni i aplikantit për t’ju nënshtruar kësaj të fundit.

Periudha e vlefshmërisë
Birësimi është i pakthyeshëm.

Kostot
-10000 lekë për birësimet me pëlqim; -20000 lekë për birësimet vendase nga institucioni; -1000 USD për birësimet ndërvendase për vendet jashtë Bashkimit Europian dhe 700 Euro per birësimet ndërvendase për vendet brenda Bashkimit Europian.

Më shumë
Nga e hëna deri të enjten - ora 08:00 deri 16:30, ditën e premte - ora 08:00 deri 14:00

Kontakti
+355 42 226 465 / +355 42 227 487