Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale

Kontakte

  • Tel: +355 42 237 200
  • E-mail: info@idp.al
  • Adresa: Rruga e Kavajës, Ndërtesa Nr. 80, Hyrja Nr. 1, Kati 5 Tiranë

Njoftim për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave personale nga subjektet kontrollues

Njoftimi nga subjektet kontrollues është një detyrim ligjor i përcaktuar në nenin 21 të Ligjit Nr. 9887, datë 10.03.2008 "Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale", i ndryshuar. Mospërmbushja e detyrimit për të njoftuar pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale përbën kundravajtje administrative dhe dënohet me gjobë.

Për çdo ndryshim në qëllimin apo qëllimet e përpunimit, si dhe në përmbajtjen e njoftimit të mëparshëm, çdo subjekt kontrollues i regjistruar duhet të njoftojë sërish zyrën e Komisionerit. Pra, nëse kontrolluesi i regjistruar më parë ka vendosur të realizojë një përpunim të ri të të dhënave personale, ose ka ndryshuar gjendjen e mëparshme të përpunimit të njoftuar, atëherë ai duhet të njoftojë sërish zyrën e Komisionerit.

Njoftimi, është një proces me anën e të cilit kontrolluesit e të dhënave personale njoftojnë Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në lidhje me të dhënat që ata përpunojnë gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Ky informacion i dhënë nga kontrolluesit, i parashtruar gjatë plotësimit të rubrikave të formularit të njoftimit, do të pasqyrohet nga Zyra e Komisionerit në regjistrin e hapur për publikun në faqen zyrtare: www.kmdp.al. Për të realizuar njoftimin pranë nesh, ju mund të asistoheni duke ju referuar udhëzuesit për plotësimin e formularit të njoftimit.

Dokumentacioni i nevojshëm
-Formulari i njoftimit

Hapat e procedurës
Aplikimi nga subjektet kontrollues të të dhënave personale, për të realizuar njoftimin me anën e formularit nëpërmjet tre mënyrave të mëposhtme:
-Formulari plotësohet elektronikisht prej subjektit kontrollues në faqen zyrtare të komisionerit, duke plotësuar çdo rubrikë të tij sipas pyetjeve të parashtruara;
-Plotësimi në rrugë elektronike dhe konfirmimi nëpërmjet një shkrese të dërguar me postë ose dorazi pranë zyrës së Komisionerit;
-Dërgimi i formularit të njoftimit, i plotësuar në letër dhe që dërgohet nëpërmjet postës ose dorazi, pasi printohet nga faqja zyrtare e zyrës së Komisionerit ose merret pranë kësaj zyre me kërkesën e subjektit kontrollues.

Koha e nevojshme për marrjen e shërbimit
-Shërbimi mund të përfitohet në çdo kohë

Periudha e vlefshmërisë
Deri në ndryshim të njoftimit apo anullim të tij

Kostot
Pa pagesë

Më shumë
Orari 08:00-16:30 nga e hëna deri të enjten dhe 08:00-14:00 të premten

Formulari i Njoftimit