Lajme

Dita Antikorrupsion, AKSHI, aktivitet në qendër të Tiranës

Dita Antikorrupsion, AKSHI, aktivitet në qendër të Tiranës

Portali e-Albania, ura e sigurt e komunikimit online me institucionet shtetërore

Me rastin e 9 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare Antikorrupsion, Drejtoria e Portalit qeveritar e-Albania, në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) zhvilloi një aktivitet në sheshin "Vëllezërit Frashëri", në Tiranë, me moton kryesore kushtuar kësaj date: "Të bashkuar kundër korrupsionit".

Me qëllim informimin e qytetarëve për portalin, Sektori i Promovimit përcolli mesazhin kryesor lidhur me përdorimin e qindra shërbimeve të e-Albanias, si urën e sigurt të komunikimit online mes qeverisë dhe qytetarit e biznesit, pa burokraci, pa vonesa duke evituar çdo lloj forme alternative të korrupsionit.

Në shesh u vendosën dy sportele dixhitale e-Albania, prej të cilave qytetarët mund të përdorin shërbimet për të cilat janë të interesuar, një 'banner' me logon e portalit, si dhe u shpërndanë fletëpalosje informuese për kalimtarët. Nuk mungoi interesi për përdorueshmërinë e sporteleve, ndërsa specialistët e Sektorit të Promovimit orientuan përdoruesit që ta përdorin portalin nëpërmjet çdo pajisje elektronike që disponojnë, me qëllim marrjen e shërbimeve kur dhe ku të duan ata vetë.

Aktiviteti i ditës së sotme zhvillohet paralelisht me shumë të tilla në mbarë botën, ku evokohet fuqishëm domosdoshmëria për luftën ndaj fenomenit të korrupsionit, i cili jo vetëm minon themelet e institucioneve demokratike duke shtrembëruar proceset zgjedhore, por gjithashtu fuqizon sistemin burokratik, përmes nxitjes së ryshfetit.Për shkak të korrupsionit bizneset e vogla bllokohen në veprimtarinë e tyre, pasi e gjejnë vetën të pafuqishëm për të kapërcyer shpenzimet e larta. Ndaj, portali e-Albania është rruga më efikase prej nga ku qytetarët e bizneset marrin online brenda në vetëm pak minuta shërbimet e 37 institucioneve të ndërlidhura në plaftormën e ndërveprimit.

Dita Ndërkombëtare Antikorrupsion, e caktuar nga Kombet e Bashkuara me anë të rezolutës 58/4 të datës 31 tetor, 2003, parashikon që çdo 9 dhjetor, vendet e Kombeve të Bashkuara të ftojnë klasën politike, drejtues qeveritarë, të sistemit gjyqësor, grupe të ndryshme që të organizojnë aktivitete për promovimin këtë ditë dhe çështjet që kanë lidhje me fenomenin e korrupsionit.