Lajme

Sportelet dixhitale, takim promovues me qytetarë pranë ambienteve të DRSHTRR-së së kryeqytetit

Sportelet dixhitale, takim promovues me qytetarë pranë ambienteve të DRSHTRR-së së kryeqytetit

Informim në terren për funksionalitetet dhe lehtësitë prej përdorimit të kioskave

Specialistët e Drejtorisë së Promovimit të portalit qeveritar e-Abania zhvilluan më datë 9 nëntor 2016, një aktivitet promovues me qytetarë të pranishëm pranë sporteleve të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Tiranë, në kuadër të fushatës promovuese në terren për sportelet dixhitale të shpërndara në 15 pika të ndryshme në mbarë vendin.

Përmes sporteleve dixhitale, qytetarët dhe bizneset mund të përfitojnë shërbime elektronike të ofruara në portalin qeveritar e-Albania nga institucione të ndryshme, përfshi këtu edhe shërbime të DPSHTRR-së.

Në kontaktet me qytetarët u dhanë shpjegime të hollësishme mbi shërbimet e sportelit dixhital e-Albania dhe mbi funksionalitetet e tij.  Specialistët e Drejtorisë së Promovimit shpërndanë fletëpalosje informuese, si dhe iu janë përgjigjën pyetjeve të qytetarëve.

“Automjetet e mia”, “Gjobat e kontrollit në rrugë nga DPSHTRR”, “Gjobat e kontrollit teknik vjetor të automjeteve”, “Pikët e drejtuesit të mjetit”, janë disa nga shërbimet qe aktualisht institucioni ofron online përmes portës unike qeveritare e-Albania.

Demonstrimi nga specialistët e Drejtorisë së Promovimit të portalit e-Albania i funksionalitetit të sportelit dixhital informoi qytetarët prezentë për një mënyrë alternative, më të shpejtë dhe pa kosto.

Aktualisht e-Albania ka 278 shërbime elektronike dhe deri në dhjetor të 2016-ës do të ketë  mbi 440 shërbime të tilla, të gjitha në funksion të qytetarit dhe biznesit, jo vetëm për të lehtësuar, e thjeshtuar komunikimin me institucionet e shtetit, por edhe për të rritur transparencën dhe ulur nivelin e korrupsionit, dy ndër sfidat më madhore të këtij mandati qeveritar.