Lajme

Karçanaj: e-Albania, një prej shembujve ekselentë të zgjidhjeve inteligjente

Karçanaj: e-Albania, një prej shembujve ekselentë të zgjidhjeve inteligjente

Aktivitet me studentë të Degës Informatikë – Ekonomike, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Qyteteve

Për të dytin vit radhazi Drejtoria e Portalit Qeveritar e-Albania, në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit organizoi një aktivitet në godinën "Liria", pranë Universitetit të Tiranës në kuadër të 31 tetorit, Ditës Ndërkombëtare të Qyteteve, me pjesëmarrjen e ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike, znj. Milena Harito, drejtoreshës së përgjithshme të AKSHI-t, znj. Mirlinda Karçanaj dhe drejtueses së Departamentit të Statistikës dhe Informatikës së Zbatuar në Fakultetin e Ekonomisë, Prof. Dr. Kozeta Sevrani.

Përpara dhjetëra studentëve të degës Informatikë-Ekonomike, znj. Harito theksoi rëndësinë e kësaj dite, si në evokimin e arritjeve të deritanishme sa i takon zgjidhjeve inteligjente në vendin tonë, ashtu në nxitjen e të rinjve për t'i përqafuar ato në jetën e përditshme.

“Në kuadër të Ditës së Kombeve të Bashkuara ‘World Cities Day’ ne po organizojmë këtu me studentët një aktivitet për t’iu prezantuar gjithë gjërat që ka bërë Qeveria në fushën e teknologjisë. Duke filluar nga portal e-Albania i shërbimeve publike, ku ata do të gjejnë gjithë shërbimet publike, aplikacioni “Përmirëso Qytetin”, ku gjithsecili mund të kontribuojë duke vëzhguar çfarë nuk funksionon dhe duke kërkuar që qytetet të punojnë më mirë, e një sërë aplikacionesh të tjera. Ajo që është shumë e rëndësishme është që të rinjtë të angazhohen në këtë fushë, në fushën e teknologjisë sepse këtu ka punë për ta, këtu është punësimi me rroga të mira për të ardhmen dhe ne do t’i ftojmë të vijnë në hapësirën tonë ‘Innovation Hub’ ku të gjithë do të jenë të mbështetur, të ndihmuar në mënyrë që të përparojnë në këtë fushë,” u shpreh ministrja Harito.

Kreu i AKSHI-t, duke folur përpara të pranishmëve, theksoi ndër të tjera se një ndër shembujt më të mirë sa i takon zgjidhjeve ‘smart’ që Qeveria ka dhënë në funksion të qytetarit, biznesit dhe punonjësve të administratës publike është portali unik qeveritar e-Albania, që ka bazë kryesore Platformën Qeveritare të Ndërveprimit.

"Besoj se shumë prej jush tashmë kanë kryer aplikime e pagesa, kanë marrë informacion brenda pak çastesh duke përdorur zgjidhjet inteligjente që ofron e-Albania. “Aplikimi për Kartë Shëndeti”, “Matura Shtetërore”, “Faturat e Energjisë Elektrike” janë vetëm një pjesëz e vogël e kësaj game të madhe shërbimesh elektronike inteligjente që vijnë për qytetarin, në funksion të lehtësimit dhe thjeshtimit të ditës së tij", u shpreh znj. Karçanaj.

Gjithashtu ajo vlerësoi edhe rolin e jashtëzakonshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, që në thelb të misionit të vet ka prioritet zhvillimin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit,  bashkërendimin e programeve dhe nxitjen e investimeve në këtë drejtim. “Agjencia jonë ofron një numër shërbimesh të përqendruara për 37 institucione publike përmes Qendrës së të Dhënave Qeveritare. Kjo qendër e ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore mundëson që të gjitha shërbimet online qeveritare të jenë të qendërzuara e të integruara”, u shpreh drejtoresha e Përgjithshme e AKSHI-t.

Pedagogia e nderuar, znj. Sevrani shfrytëzoi këtë rast për të ftuar secilin prej studentëve të pranishëm, që çdo ide apo gjetje sado të vogël, ta ndajë atë me bashkëmoshatarët dhe pedagogët pa humbur kohë për ta zhvilluar e finalizuar me sukses. "Investimi dhe përkushtimi ynë në këtë aspekt është i madh, por ne jemi të bindur që rezultatet e kësaj përpjekjeje të përbashkët do të vilen herët a vonë", tha znj. Sevrani. Më tej ajo shtoi se e ardhmja e "Smart Cities" ka një potencial pa limit, ndaj në botë po shihen me interes edhe aspiratat për të gjeneruar njohuri të reja dhe për t'i shpërndarë ato në nivel më të gjerë. "Ky është një nivel bazik, sipas avokatëve të hershëm të "Smart Cities", për të rritur të ardhurat në aspektin ekonomik, në zhvillimin social dhe gjithëpërfshirës të një qyteti. Në konceptin e një ‘qyteti inteligjent’, një prej qëllimeve kryesore është sjellja e njerëzve dhe shoqërisë brenda këtij kuadri, për të krijuar një qasje pjesëmarrëse dhe inovative", tha znj. Sevrani.

Më tej punonjës të Drejtorisë së portalit e-Albania sollën një historik të shkurtër të evoluimit të portalit në muajt e fundit, rritjes së përdorueshmërisë së tij, si dhe objektivave më të afërta që pritet të realizohen së shpejti, gjithnjë në kuadër të zgjidhjeve inteligjente për qytetarët. 

Aktiviteti i sotëm me studentë zhvillohet paralelisht edhe me qindra takime të kësaj natyre në mbarë botën, me qëllim zhvillimin e interesit të komunitetit ndërkombëtar në çështje të urbanizimit global dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të ndryshme për përputhjen e mundësive dhe adresimin e sfidave të urbanizimit.  Kombet e Bashkuara kanë përcaktuar 31 Tetorin, si Ditën Ndërkombëtare të Qyteteve në rezolutën e saj A/RES/68/239, përmes të cilës ftohen shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara, që të jenë pjesë e aktiviteteve për rritjen e vëmendjes dhe interesit për zhvillimin e qyteteve në mbarë botën.