Sesioni juaj po skadon!


Kushtet e përdorimit

Portali unik qeveritar shumëfunksional e-albania.al shërben si një portë, nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri. Portali qeveritar e-Albania është i lidhur me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit, e cila është arkitektura bazë mbi të cilën mundësohet ndërveprimi me sistemet elektronike të institucioneve publike.

Portali ofron gjithashtu informacion të detajuar në lidhje me shërbimet për publikun, (licenca, leje, autorizime, certifikata, vërtetime apo shërbime të tjera të ngjashme), dokumentacionin e nevojshëm, procedurën që duhet të ndjekë, oraret e funksionimit dhe vendndodhjen e zyrave të administratës, kontaktet, si dhe adresën e faqes zyrtare të institucionit që ofron shërbimin përkatës, ku mund të orientohet për detaje të mëtejshme.

Kushtet e përgjithshme

Sektori publik ofron shërbimet e tij në formë elektronike nëpërmjet portalit unik qeveritar e- albania.al, në përputhje me aktet ligjore në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.703, datë 29.10.2014, “Për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit” zhvillon, administron dhe mirëmban infrastrukturën e shërbimeve të qeverisjes elektronike, portalin unik qeveritar e-Albania, Platformën Qeveritare të Ndërveprimit, për ofrimin e shërbimeve të qeverisjes elektronike, sipas tipologjisë: qeveri-qeveri, qeveri-qytetar, qeveri–biznes. Administratori i portalit,AKSHI, nuk mban përgjegjësi për humbje të mundshme që burojnë nga përdorimi apo mospërdorimi i shërbimeve që ofrohen nëpërmjet portalit. Në rastin e shërbimeve elektronike, ku portali ofron vetëm mjedisin ndërmjetësues, institucioni përgjegjës për ofrimin e shërbimit mban përgjegjësi për shërbimin konkret. Shërbimet e ofruara në portal janë pa pagesë, përjashtuar ato shërbime, të cilat ofrohen me pagesë sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Portali, në informacionin që ofron, nuk mban përgjegjësi për përditësimin dhe saktësinë e informacionit të shërbimeve apo faqeve të internetit që ofrohen si lidhje në të. Kjo është përgjegjësi e institucioneve përkatëse. Informacioni i përdoruesit në këtë portal mbrohet sipas dispozitave të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe ligjit për të drejtën e autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me të.

Siguria

Gjatë regjistrimit përdoruesve të portalit qeveritar e-Albania ju kërkohet pëlqimi paraprak.

Marrja e shërbimeve publike të qeverisjes elektronike nëpërmjet portalit qeveritar dhe/ose sistemeve të tjera elektronike nga çdo përdorues, person fizik ose juridik, kalon në procesin e autentifikimit dhe identifikimit për garantimin e besueshmërisë dhe sigurisë në ofrimin e shërbimeve individuale.

Në rastin e kërkesave për shërbime elektronike të nivelit 3 dhe 4 (sipas UNPAN 2014) në mjedisin e portalit unik qeveritar e-Albania, dokumenteve të dërguara dhe shërbimeve të tjera, portali verifikon identitetin e përdoruesit të shërbimit në bazë të informacionit në lidhje me përdoruesin nëpërmjet “Single-Sign-On” në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.734 date 28.8.2013 “Për krijimin e sistemit unik të regjistrimit, autentifikimit dhe identifikimit të përdoruesve në marrjen e shërbimeve publike nga sistemet elektronike”.

Procesi i regjistrimit kryhet nëpërmjet portalit qeveritar dhe të dhënat e plotësuara nga përdoruesit, gjatë procesit të regjistrimit, verifikohen elektronikisht me të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile për individët dhe Regjistrit Kombëtar Tregtar për bizneset (QKR).

Komunikimi https - komunikim i sigurtë online
Komunikim i enkriptuar me nivel sigurie TLS 1.0, AES 128

Të dhënat personale

Në përputhje me Ligjin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, të dhënat personale ruhen në sistemin e portalit ekskluzivisht me lejen e përdoruesit dhe në kuadër të nevojës për funksionimin e portalit dhe shërbimeve të tij. Duke plotësuar të dhënat e tij për identifikim dhe krijuar llogarinë përkatëse në portal, përdoruesi pajtohet me kushtet e përdorimit të portalit dhe jep pëlqimin që:

  1. - Të dhënat personale do të përpunohen dhe ruhen në sistemin informatik të portalit;
  2. - Kërkesa në bazat e të dhënave shtetërore do të kryhet në bazë të numrit personal.

Detajet e ruajtura në portalin unik qeveritar do të ruhen dhe përpunohen nga administratori i portalit dhe ofruesit e shërbimit përkatës ekskluzivisht për qëllime të ofrimit të shërbimit.

Për më tepër informacion referojuni rubrikës “Politikat e Privatësisë”

Të dhënat teknike

Të dhënat teknike të ruajtura në sistemin e portalit unik qeveritar nuk do të bëhen të qasshme në formë të personalizuar për të tretët. Për identifikimin e sesionit të përdoruesit do të përdoren “cookies”. Konsiderohen si detaje teknike të dhënat e mëposhtme:

  1. • Adresa IP e përdoruesit;
  2. • Identifikimi i “web-browser” të përdoruesit;
  3. • URL-në e web-faqes që i adresohet portalit;
  4. • Faqen URL të portalit, të cilit përdoruesi i është adresuar;
  5. • numrin e kartës së identitetit, numrin e telefonit celular;
  6. • numrin personal, emrin dhe mbiemrin.

E drejta e autorit

Në përputhje me ligjin “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”

  1. - lejohen referenca të detajuara për të gjithë materialet dhe shërbimet e portalit; në rastin e një reference të gabuar, administratorët përgjegjës për përmbajtjen e portalit dhe autorët do të kenë të drejtë të kërkojnë heqjen e referencës ose ndryshimin e saj.
  2. - lejohet riprodhimi i pjesshëm dhe/ose i plotë i informacionit të portalit, me kusht që të respektohet integriteti i informacioneve dhe të mos ndryshohet as kuptimi, as rëndësia, as zbatimi i tyre si dhe të përcaktohet burimi dhe data e publikimit.
  3. - Riprodhimet për qëllime komerciale ose reklamuese nuk do të lejohen, përveç përjashtimeve.

Legjislacioni mbi krimin kibernetik

Shqipëria ka ratifikuar prej vitit 2002, “Konventën për Krimin në Fushën e Kibernetikës”. Konventa aktuale është e nevojshme për të frenuar veprimet e drejtuara kundër konfidencialitetit, integritetit dhe disponueshmërisë të sistemeve kompjuterike, rrjeteve dhe të dhënave kompjuterike, sikurse dhe keqpërdorimit të këtyre sistemeve, rrjeteve dhe të dhënave, nëpërmjet sigurimit që kjo veprimtari e tillë të kriminalizohet, sikurse përshkruhet në këtë Konventë, dhe nëpërmjet krijimit të forcave të mjaftueshme për luftimin efektiv të këtyre veprave kriminale, duke lehtësuar zbulimin, hetimin dhe ndjekjen penale të këtyre veprave penale në të dyja nivelet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe duke siguruar marrëveshjet për bashkëpunim ndërkombëtar të shpejtë dhe të besueshëm.

Kliko këtu për një përmbledhje të legjislacionit për krimin kibernetik në fushën e teknologjisë së informacionit.