Aplikim për pasaportë dhe kartë identiteti (për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve)
"Aplikim për pasaportë dhe kartë identiteti" është një shërbim elektronik, i cili u mundëson qytetarëve shqiptarë rezidentë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, të aplikojnë online për t'u pajisur me pasaportë dhe kartë identiteti.
Qytetarët duhet të zgjedhin datën dhe orën e takimit kur mund të paraqiten në Ambasadë/Konsullatën përkatëse. Pas përfundimit me sukses të aplikimi qytetarët do të njoftohen me e-mail në lidhje me detajet e pagesës dhe dokumentacionit që duhet të kenë me vete ditën e takimit.
Qytetari është i detyruar të paraqitet më pas në përfaqësi për të lënë shenjat e gishtërinjve.
Vini re: Në rast se ju nuk paraqiteni në datën e takimit të zgjedhur nga vetë ju, takimi juaj do të anullohet dhe pas 5 ditësh ju duhet të aplikoni përsëri për një date të re takimi
Shtetasi ripajiset me pasaportë para mbarimit të afatit të vlefshmërisë së pasaportës ekzistuese në rastet e mëposhtme:
a) kur udhëton apo qëndron përkohësisht në shtete që kushtëzojnë hyrjen ose qëndrimin me një afat
të caktuar vlefshmërie të pasaportës;
b) kur ndryshojnë përbërësit e gjendjes civile;
c) kur pasaportës i janë plotësuar fletët me shënime zyrtare;
ç) kur pasaporta është dëmtuar fizikisht;
d) kur pasaporta është deklaruar e humbur;
dh) kur pasaporta është kallëzuar e vjedhur
Dokumentacioni i nevojshëm
1. Aplikon për herë të parë:
- Dokument identifikimi (pasaportë model i vjetër ose leje për drejtim automjeti model elektronik (model i ri) ose dokument me fotografi i lëshuar nga vendi pritës)
2. Aplikon për herë të parë (për shtetasit nën 16 vjeç)-fëmijë:
- Certifikatë lindje (e huaj)
- Dokument identifikimi (pasaportë model i vjetër ose dokument me fotografi i lëshuar nga vendi pritës, nëse ka)
3. Nëse ka skaduar pasaporta dhe karta e identitetit:
- Dokument identifikimi (pasaporta dhe karta e identitetit e skaduar)
4. Nëse ka skaduar vetëm pasaporta:
- Dokument identifikimi (pasaporta e skaduar)
5. Ka humbur vetëm pasaporta:
- Dokument identifikimi (kopje e pasaportës ose kartë identiteti shqiptare ose leje për drejtim automjeti model elektronik (model i ri) ose dokument me fotografi i lëshuar nga vendi pritës)
- Denoncimi për humbjen e pasaportës në organet policore të vendit ku ka ndodhur humbja (legalizuar dhe përkthyer)
6. Ka humbur dokumentet pasaportë dhe kartë identiteti:
- Dokument identifikimi (kopje e pasaportës ose kartë identiteti shqiptare ose leje për drejtim automjeti model elektronik, model i ri, ose dokument me fotografi i lëshuar nga vendi pritës)
- Denoncimi për humbjen e dokumentit (kartë identiteti dhe pasaporta) në organet policore të vendit ku ka ndodhur humbja
7. Ka të dëmtuar pasaportën ose janë plotësuar të gjitha fletët:
- Kopja e pasaportës së dëmutar ose që i janë mbaruar fletët
- Dokument i identifikimit (kartë identiteti shqiptare ose leje për drejtim automjeti model elektronik, model i ri, ose dokument me fotografi i lëshuar nga vendi pritës nëse ka)
8. Aplikon për ndryshim gjeneralitetesh:
- Dokument identifikimi (Kartë ID ose Pasaportë ose dokument me fotografi i lëshuar nga vendi pritës)
- Certifikatë lindje
Hapat e procedurës
- Identifikohuni në portalin e-Albania
- Zgjidhni shërbimin “Aplikim për pasaportë dhe kartë identiteti”
- Klikoni butonin "Përdor"
- Zgjidhni nëse do të kryeni një aplikim të ri apo do të gjurmoni statusin e një aplikimi ekzistues
- Për të gjurmuar statusin e një aplikimi ekzistues, vendosni numrin e aplikimit dhe më pas klikoni butonin "Kërko"
- Për të kryer një aplikim të ri, klikoni butonin "Krijo aplikim të ri", plotësoni të dhënat në formularin elektronik dhe ngarkoni dokumentet që janë të domosdoshme për verifikim. Me anë të e-mail-it të plotësuar në rubrikën përkatëse, do t'ju dërgohet konfirmimi i aplikimit si dhe kodi i veçantë i aplikimit (i cili mundëson ndjekjen e ecurisë së aplikimit në çdo moment)
Kujdes: E-maili mund tju vijë në spam/junk. Kontrolloni të gjitha rubrikat e emailit tuaj pas aplikimit.
- Ndiqni procedurat për të kryer pagesën dhe për të pasur me vete mandat pagesen ditën që do të paraqiteni në Ambasadë/Konsullatë
- Paraqituni në përfaqësi për të lënë shenjat e gishtërinjve dhe firmosur ( e detyrueshme)
Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit
4-6 javë.
Periudha e vlefshmërisë
Në varësi të tipit dhe moshës.
Kostot
Në varësi të shtetit.
Më shumë
Ambasadat e Republikës së Shqipërisë: Athinë; Romë; Londër, Bruksel, Stokholm, Berlin, Paris / Konsullatat e Përgjithshme: Selanik, Milano, Bari, Mynih, Stamboll / Zyra Konsullore: Nju Jork