Procesi i transformimit digjital ka filluar prej kohësh në Shqipëri dhe të gjithë aktorët publikë dhe privatë po punojnë fuqimisht në ndryshimin e mendësisë së qytetarëve në lidhje me këtë formë të re të pashmangshme të komunikimit. Revolucioni digjital i shërbimeve dhe administratës publike në Shqipëri, prej vitit 2014 ka ndryshuar perceptimin e qytetarëve në lidhje me komunikimin elektronik me institucionet shtetërore.
Në programin e Qeverisë, sipas Agjendës Digjitale 2022 - 2026 është përcaktuar se Qeveria do të punojë në disa drejtime kryesore duke vendosur objektiva të matshme. Plani i ri i veprimit synon:
- të nxisë investimet në zonat kyçe të informatikës së avancuar dhe përpunimit të të dhënave, inteligjencës artificiale (IA), sigurisë kibernetike dhe aftësive të përparuara digjitale të nevojshme për ti zhvilluar ato.
- të shërbejë si katalizator për të koordinuar projektet e sektorit publik për modernizim dhe akses në TIK.
- Qeveria shqiptare aspiron prej kohësh të jetë më e hapur, më fleksibël dhe më interaktive në marrëdhëniet me qytetarët dhe bizneset, duke përdorur mjetet e TIK-ut, për të rritur efektivitetin dhe efikasitetin me qëllim përmirësimin në vazhdimësi të shërbimeve publike
Rreth portalit
Platforma qeveritare "e-Albania" është platforma qeveritare e ndërveprimit për ofrimin e shërbimeve elektronike (portali "e-Albania") që administrohet dhe zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe shërben si një portë nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri. Tashmë, procedurat janë më të thjeshta dhe veprimet e kryera online përmes një kompjuteri, tableti apo smartfoni, gjithnjë duke përdorur platformën e-albania, mundësojnë edhe shkarkimin në kohë reale të dokumenteve me vlerë ligjore dhe printimin e tyre përmes një printeri e një letre të zakonshme.
Prej vitit 2020, ka filluar një proces i ri për shërbimet publike, ai i ofrimit të aplikimeve për shërbime publike për qytetarët dhe bizneset vetëm online. Qytetarët dhe bizneset aplikojnë vetëm përmes platformës ealbania dhe janë punonjësit e administratës publike ata që mbledhin të gjitha dokumentet shtetërore të shërbimeve. Të gjitha të dhënat dhe dokumentet shtetërore tani përdoren dhe ripërdoren, duke i çliruar qytetarët nga barra e grumbullimit të tyre fizikisht në letër në sportelet e shtetit.
Portali qeveritar e-Albania është i lidhur me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit, e cila është arkitektura bazë mbi të cilën mundësohet ndërveprimi me sistemet elektronike të institucioneve publike që mundëson komunikimin midis bazave të të dhënave shtetërore, me qëllim ofrimin e shërbimeve elektronike.
Çfarë ofron e-Albania
e-Albania vepron si një pikë e vetme për ofrimin e shërbimeve publike të institucioneve qeveritare, duke shërbyer kështu si një pikë e vetme hyrëse për qytetarët 24/7 dhe është e lidhur me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit që është arkitektura themelore që lejon ndërveprimin midis 60 sistemeve elektronike të institucioneve publike.
- e-Albania është një zyrë me një ndalesë për shërbimet online të administratës publike
- është kanali i vetem online për ofrimin e shërbimeve publike në 24 orë në 7 ditë të javës
- ofron shërbime elektronike me vule elektronike dhe nënshkrim elektronik nëpërmjet standardeve më të fundit të teknologjisë, mundësi për kryerjen e pagesave online për shërbimet nëpërmjet kartave të debitit dhe kreditit
- është në përputhje të plotë me politikat e qeverisë në fushën TIK dhe Agjendën Digjitale e Shqipërisë dhe të planit të veprimit 2022-2026
- ofron mundësi komunikimi për çdo paqartësi, pyetje apo problem mbi regjistrimin, shërbimet e ofruara në portal, përmes forumit të portalit, postës elektronike, komenteve dhe mesazheve në rrjetet sociale
- ka përmirësuar ofrimin e shërbimeve, duke reduktuar kohën e marrjes së shërbimit, duke evituar burokracitë, si dhe duke ulur korrupsionin
- ofron informacion në lidhje me shërbime elektronike që ofrohen nga institucione të ndryshme publike dhe private. Disponueshmëria dhe saktësia e shërbimit është përgjegjësi e institucionit përgjegjës, i cili ofron shërbimin e tij elektronik përmes portalit
Vizioni
"Shërbime digjitale gjithëpërfshirëse dhe pa kufi, për qytetarët dhe bizneset"
Një pjesë thelbësore e ketij vizioni është trajtimi i shërbimeve të teknologjisë së informacionit (TI) drejt mjeteve proaktive të ofrimit të tyre. Lëvizja drejt shërbimeve proaktive, nuk synon vetëm të ndryshojë vlerën e shtuar, por gjithashtu të rrisë efikasitetin e ofrimit të shërbimeve dhe është një qasje thelbësore në krijimin e një qeverie që ka nevojat e qytetarëve në themelin e saj.
Qëllimi është ndryshimi i modelit të mjeteve të ofrimit të shërbimeve duke kaluar nga qasja e tërheqjes ku qytetari duhet të kërkojë shërbime publike online - drejt modeleve të "shtytjes", ku qeveria përmes implementimit të mjeteve të nevojshme inovative, jep në kohë reale informacion dhe shërbime të personalizuara për grupet përkatëse të targetuara.
Më specifikisht, synohet:
- Akses i sigurt, i shpejtë dhe i besueshëm në internet për të gjithë, qytetarët, bizneset dhe qeverinë (duke përfshirë institucionet arsimore, të shëndetit etj.)
- Një shtet digjital që ofron shërbime më të mira digjitale dhe me një nivel të lartë sigurie dhe besueshmërie për qytetarët për të gjitha aspektet e jetës, duke promovuar gjithëpërfshirjen
- Zhvillimi i aftësive digjitale për të gjithë qytetarët, në mënyrë që të jenë gati për një mjedis pune digjital
- Lehtësimi dhe mbështetja e transformimit të kompanive dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) në ndërmarrje digjitale, duke i bërë kështu konkurruese në tregun botëror
- Forcimi dhe përforcimi i inovacionit digjital, rritja e kapaciteteve/nivelit të sigurisë kibernetike
- Rritja e produktivitetit dhe sigurisë të përdorimit të të dhënave të administratës publike
- Përfshirja e teknologjive digjitale në të gjithë sektorët ekonomikë
Misioni
Veprimtaritë qeveritare duhet të përcaktojnë një rrugë të qartë drejt inovacionit dhe prakticitetit, përdorshmërisë, disponueshmërisë, sigurisë dhe elasticitetit të shërbimeve të tyre qeveritare. Për të arritur këto objektiva duhet:
- të bëhen zgjedhjet e duhura në lidhje me sistemet dhe shërbimet moderne të TIK-ut
- të nxitet aftësia e tregut drejt inovacionit dhe konkurrencës
- te shihen mundësitë për të krijuar mjedise inovatore që mbështesin krijimin e platformave të ndryshme teknologjike që mundësojnë inovacionin dhe rritjen e ekosistemit për bizneset dhe startup-et
- fokusi më i lartë do të jetë në përdorimin e të dhënave dhe përdorimin e infrastrukturave hibride në kontekstin e duhur të sigurisë - nga klasifikimi i të dhënave te certifikimi i platformave
Qëllimi që portali e-albania synon:
- të jetë kanali i vetëm i marrjes së shërbimeve të administratës publike online për qytetarët, bizneset dhe vetë punonjësit e administratës publike
- t'u ofrojë përdoruesve një platformë, ku mund të jenë pjesë aktive e përmirësimit të shërbimeve publike dhe hartimit të politikave qeveritare
- të zgjerojë përvojën e përdoruesve përmes përmirësimit të vazhdueshëm të shërbimeve elektronike
Përdoruesit
- të gjithë qytetarët shqiptarë
- te gjithë shtetasit e huaj me leje qëndrimi në Shqipëri
- shtetasit e huaj jo rezidentë që përdorin shërbime të veçanta
- bizneset e regjistruara në Republikën e Shqipërisë
- punonjësit e administratës publike në active directory
- vizitorët e portalit
Standarde të përgjithshme
- ofron informacion mbi shërbimet që ofrojnë institucionet e administratës publike. Informacioni i paraqitur në portal përditësohet nga vetë institucionet sipas nevojës
- siguron disponueshmërinë 24/7/365 me mbi 99% funksionalitet të portalit
- lidhet me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit (Government Gateway), në të cilën janë lidhur 60 sisteme të cilat shkëmbejnë të dhëna në kohë reale
- sistemi i ndërveprimit është një sistem qendror shumëfunksional, një zgjidhje Enterprise Service Bus me një arkitekturë të orientuar nga shërbimet
- pagesat e shërbimeve elektronike realizohen në mënyrë të sigurt nëpërmjet Platformës Qeveritare të Pagesave Elektronike, e cila është e lidhur me institucione bankare dhe jo-bankare
- ofron gërshetimin e një sërë teknologjive të sigurisë për të mbrojtur të dhënat e përdoruesve. Procesi i regjistrimit kryhet nëpërmjet portalit qeveritar dhe të dhënat e plotësuara, nga përdoruesit gjatë procesit të regjistrimit, verifikohen elektronikisht me të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile për individët dhe Regjistrit Kombëtar Tregtar për bizneset (QKB)
- procesi i autentifikimit dhe identifikimit është i bazuar në strategjinë e "Single-Sign-On", për të krijuar një identitet unik për çdo përdorues, duke përdorur NID për qytetarin dhe NUIS për bizneset
- është në përputhje me versionet më të fundit të shfletuesve të internetit si Internet Explorer, Google Chrome, Mozilla Firefox, Safari etj
- aksesohet në versionet web mobile, app mobile iOS dhe Android
Për të ofruar një përvojë sa më të mirë gjatë përdorimit të portalit, i inkurajojmë përdoruesit të lenë komentet apo sugjerimet e tyre përmes forumit të portalit, postës elektronike, komenteve dhe mesazheve në rrjetet sociale;