LinkButton

Rregullore për politikat e privatësisë

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (këtu e më poshtë referuar AKSHI), është krijuar sipas Vendimit nr. 673, datë 22.11.2017 "Për Riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit". Kjo agjenci është bërë funksionale me emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të saj në Shtator të vitit 2007. Nga kjo periudhë dhe deri në Janar të vitit 2008 është bërë i mundur plotësimi i agjenicisë me stafin e saj. Që nga kjo periudhë agjencia funksionon me efikasitet të plotë.

Objekti i veprimtarisë së AKSHI-t

a) Zbatimin e politikave e të strategjive, për zhvillimin e sektorit të shoqërisë së informacionit (më poshtë SHI) dhe në veçanti të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (më poshtë TIK);
b) Bashkërendimin e programeve në fushën e SHI-së dhe në veçanti të TIK-ut;
c) Nxitjen e investimeve në fushën e SHI-së;
ç) Hartimin e praktikave për ushtrimin e kompetencave që i jepen ministrit nga legjislacioni në fushën e komunikimeve elektronike;
d) Promovimin e teknologjive të reja në fushën e SHI-së;
dh) Dhënien e kontributit në edukimin dhe nxitjen e përdorimit të TIK-ut nga publiku

OBJEKTI I KËSAJ RREGULLOREJE

Kjo rregullore ka për objekt informimin e subjekteve të të dhënave personale mbi mënyrën e mbledhjes, përpunimit, përhapjes, ruajtjes dhe masave të sigurisë që janë marrë për të dhënat e tyre në portalin qeveritar e-Albania.


Bazuar në:

- Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë,
- Ligjin Nr.9887 datë 10.03.2008 "Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale",
- Ligjin Nr.9918 datë 19.05.2008 "Për Komunikimet Elektronike dhe Postare", si dhe aktet e tjera nënligjore në
plotësim.

Administratori i portalit (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit), kryen përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale duke respektuar dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në veçanti të drejtën e ruajtjes së jetës private.

 

MBROJTJA E TË DHËNAVE 

Mbrojtja e të dhënave bazohet në:

- Përpunimin në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme;
- Grumbullimin për qëllime specifike, të përcaktuara qartë, e legjitime dhe në përpunimin në përputhje me këto qëllime;
- Mjaftueshmërinë e të dhënave, të cilat duhet të lidhen me qëllimin e përpunimit dhe të mos e tejkalojnë këtë qëllim;
- Saktësinë që të dhënat duhet të kenë dhe, kur është e nevojshme, duhet të përditësohen duhet ndërmarrë çdo hap i arsyeshëm për të fshirë apo korrigjuar të dhëna të pasakta apo të paplota, në lidhje me qëllimin për të cilin janë mbledhur apo për të cilin përpunohen më tej;
- Mbajtjen në atë formë, që të lejojë identifikimin e subjekteve të të dhënave për një kohë, por jo më tepër sesa është e nevojshme për qëllimin, për të cilin ato janë grumbulluar ose përpunuar më tej.

TË DREJTAT E SUBJEKTIT TË TË DHËNAVE

- E drejta për akses

1. Çdo person ka të drejtë që pa pagesë me kërkesë me shkrim, të marrë nga kontrolluesi:

- Konfirmimin nëse të dhënat personale po i përpunohen ose jo, informacion për qëllimin e përpunimit, për kategoritë e të dhënave të përpunuara dhe për marrësit e kategoritë e marrësve, të cilëve u përhapen të dhënat personale;

në një formë të kuptueshme, të dhënat personale dhe informacionin e disponueshëm për burimin e tyre;

2. Kontrolluesi, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës, informon subjektin e të dhënave ose i shpjegon atij arsyet e mosdhënies së informacionit.

Kontrolluesi
Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit
Rr. Papa Gjon Pali i II, Nr 3
1003 Tiranë, Shqipëri
Web: https://e-albania.al

- E drejta për të kërkuar bllokimin, korrigjimin ose fshirjen

1. Çdo subjekt i të dhënave ka të drejtë të kërkojë bllokimin, korrigjimin ose fshirjen e të dhënave pa pagesë, kur vihet në dijeni se të dhënat rreth tij nuk janë të rregullta, të vërteta, të plota ose janë përpunuar dhe mbledhur në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.

2. Kontrolluesi, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës së subjektit të të dhënave, duhet ta informojë atë për përpunimin e ligjshëm të të dhënave, kryerjen ose moskryerjen e bllokimit, korrigjimit apo të fshirjes.

3. Kur kontrolluesi nuk bën bllokimin, korrigjimin ose fshirjen e të dhënave të kërkuara prej tij, subjekti i të dhënave ka të drejtë të ankohet te komisioneri.

 

PËRHAPJA E TË DHËNAVE PERSONALE

AKSHI nuk i transmeton të dhënat tuaja personale palëve të treta, me përjashtim të rasteve kur është dhënë pëlqimi juaj shprehimisht për një gjë të tillë.

MASAT E SIGURISË NË LIDHJE ME TË DHËNAT PERSONALE

AKSHI, është i ndërgjegjshëm për rëndësinë dhe sensitivitetin e të dhënave personale dhe respekton në mënyrë rigoroze masat për sigurinë që parashikohen në Ligjin Nr 9887 datë 10.03.2008 "Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale". Kjo arrihet nëpërmjet përdorimit të teknikave të avancuara dhe moderne për të ruajtur bazat e të dhënave dhe sistemet e saj kompjuterike. Po ashtu, AKSHI kujdeset që transferimi dhe regjistrimi i të dhënave të bëhet me masa të plota sigurie në përputhje të plotë me legjislacionin përkatës. Ky njoftim mbi ruajtjen e privatësisë për të arritur mbrojtjen e të dhënave personale nuk përfshin lidhjet midis kësaj faqeje dhe faqeve të tjera. Ne ju inkurajojmë të lexoni deklaratat e privatësisë në faqet e tjera të internetit që ju vizitoni pasi kushtet e këtyre faqeve mund të ndryshojnë nga ato të AKSHI-t.

PYETJE APO ANKESA

Me anë të shpjegimit të mësipërm, AKSHI shpreson t'ju ketë informuar saktësisht dhe në mënyrë të plotë rreth çështjeve të privatësisë suaj. Nëse keni pyetje, ankesa/kërkesa/ vërejtje rreth këtyre çështjeve, mos hezitoni që të na kontaktoni në adresën e mëposhtme:

Kontrolluesi

Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit
Rr. Papa Gjon Pali i II, Nr 3
1003 Tiranë, Shqipëri
web: www.e-albania.al

 

E DREJTA PËR TU ANKUAR

Çdo person, që pretendon se i janë shkelur të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm për të dhënat personale, ka të drejtë të ankohet ose të njoftojë komisionerin dhe të kërkojë ndërhyrjen e tij për vënien në vend të së drejtës së shkelur. Pas këtij ankimi, në përputhje me Kodin e Procedurës Civile, subjekti i të dhënave mund të ankohet në gjykatë.

Komisionieri për Mbrojtjen e të dhënave
Rruga "A. Toptani", Kati II-të.
http://www.idp.al

Në rast se subjekti i të dhënave ka bërë ankim, kontrolluesi nuk ka të drejtë të ndryshojë të dhënat personale deri në dhënien e vendimit përfundimtar.

 

TË TJERA
Kjo rregullore duhet kuptuar në përputhshmëri me Kushtet e Përgjithshme të kësaj faqeje.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit rezervon të drejtën që të ndryshojë apo modifikojë këtë rregullore në çdo moment, në zbatim të çdo ndryshimi të mundshëm të legjislacionit në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë. 

E RËNDËSISHME!
Të dhënat e përdoruesve në portalin e-Albania shfaqen automatikisht nga databazat e institucioneve që i administrojnë ato.
Në asnjë rast e-Albania nuk modifikon të dhënat e publikuara.

E-albania është portali qeveritar ku shërbimet publike që gjenden në zyrat dhe sportelet fizike të institucioneve ofrohen në mënyrë elektronike falë Platformës Qeveritare të Ndërveprimit që ndërlidh sistemet e institucioneve me njeri-tjetrin. Portali është konceptuar si një zyrë elektronike me një ndalesë ku qytetari regjistrohet duke përdorur kartën e tij të identitetit dhe shërbehet duke kërkuar dhe aplikuar për shërbimin që i nevojitet.

Ky portal është realizuar dhe administrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)

Ju lutem vlerësoni shërbimin