Portali qeveritar e-albania është një portë unike në internet ku qytetarët, bizneset dhe vetë punonjësit e administratës publike në nivel qendror mund të përfitojnë shërbime elektronike.

Portali qeveritar e-Albania
  • Me temën "Turizëm për të gjithë", Dita Ndërkombëtare e Turizmit synon këtë vit të shpërndajë fjalën për rëndësinë dhe përfitimet e pafundme që turizmi ka dhe mund të sjellë për shoqërinë në përgjithësi.

    Duke qenë se Shqipëria është një vend me një potencial të madh turistik, ku gjenden gjithashtu dhjetëra vendndodhje të trashëgimisë kulturore, portali unik qeveritar e-albania organizon për të dytin vit radhazi konkursin mbarëshqiptar të turizmit, për të nxjerrë në pah bukurinë dhe veçantinë e vendit tonë. Konkursi përbëhet nga tre kategori: fotografi/pikturë, video dhe ese, të cilat kanë një temë të përbashkët: turizmin shqiptar.

    Fotografitë duhet të jenë të zhanrit artistik, të bëra gjatë udhëtimeve turistike në Shqipëri si dhe pikturat të kenë në sfond zona turistike shqiptare. Videot duhet të jenë në formën e reportazheve të shkurtra, të realizuara gjatë udhëtimeve turistike në Shqipëri. Esetë duhet të jenë shkrime në të cilat të reflektohet një eksperiencë mbresëlënëse apo një vështirësi me të cilën është ndeshur personi gjatë një udhëtimi turistik në Shqipëri.

    Konkursi zhvillohet në dy faza: faza e aplikimeve, e cila do të zgjasë deri në 12 shtator 2016 dhe faza e votimit, e cila do të mbyllet në 26 shtator 2016.

    Kriteret e aplikimit:
    Dërgimi i materialeve realizohet nëpërmjet portalit qeveritar e-albania. Për të dërguar aplikimin, aplikantët duhet të jenë përdorues të regjistruar të portalit. Çdo përdorues i portalit mund të dërgojë në total 5 aplikime (për të gjitha kategoritë e konkursit).

    Kriteret e vlerësimit:
    Përcaktimi i fituesve të secilës kategori do të realizohet përmes një votimi online, në faqen e portalit e-albania ku çdo përdorues i e-albania do të ketë mundësi të votojë një numër të pakufizuar aplikimesh për çdo kategori, duke dhënë një votë në total për çdo aplikim të parapëlqyer. Procedura e votimit do të hapet pasi të mbyllet faza e parë e konkursit, e cila është faza e pranimit të aplikimeve.

    Për më tepër, referojuni linkut https://e-albania.al/konkursturizmi.aspx

© Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit

Rruga "Papa Gjon Pali II"
Nr. 3, Kati I, Tiranë
Tel: 00 355 4 22 77 750
Fax: 00 355 4 22 77 764
E-mail: info@akshi.gov.al

Like on Facebook:

e-Albania newsletter 2